Hape menynë kryesore

Open Labs Hackerspace β

Materiale Mediatike

Krijimi i imazheve për mediat sociale për eventet në Open Labs

Hapat paraprake

Për të krijuar imazhet e rrjeteve sociale për eventet që zhvillohen në Open Labs do të përdorim dy programe open source, respektivisht GIMP dhe Inkscape. Ato mund të jenë të parainstaluara në kompjuterin tuaj ose mund t'i shkarkoni në ndërlidhjet e mëposhtme në qoftë se përdorni sistemin operativ Windows ose me anë të menaxhuesve të paketave nëse përdorni sisteme operativ Linux si psh. Fedora, Ubuntu, Debian etj.

Për të krijuar imazhet na duhen gjithashtu dhe fonts që ne përdorim sipas guidës së stilit për Open Labs. Ato janë Ekstropia dhe Noto Sans, mund të shkarkohen në ndërlidhjet më poshtë.

Pas shkarkimit, ato duhen të instalohen në sistemin tuaj para se të përdoren. Në sistemet Linux, ato instalohen lokalisht në shtegun /home/$USER/.fonts, ku $USER është emri juaj i përdoruesit. Nëse nuk e gjeni dot dosjen .fonts, duhet të shtypni Ctrl+H që të shfaqen dosjet e fshehta të sistemit dhe ta krijoni dosjen nëse nuk ekziston paraprakisht. Pasi vendosen aty fonts (jo në formatin .zip siç janë shkarkuar, duhen unzip-uar dhe duhet të jenë në formatin .ttf ose .otf) do të jenë të përdorshme në të gjithë sistemin.

Hapat e ardhshme

Pasi i kemi instaluar të dy programet e përmendura më sipër, do të shkarkojmë shabllonet (templates) e parapërgatitura për imazhet që do të përdorin në rrjetet sociale (momentalisht ato janë të përshtatura për Facebook por mund të përdoren pa problem edhe për Twitter). Shabllonet gjenden në cloud e Open Labs ku kanë të drejtë aksesi vetëm anëtarët por mund të shkarkohen dhe nga ndërlidhja e mëposhtme.

Çdo projekt ka dosjen e vetë dhe brenda tyre ndodhet shablloni, një skedar vektorial në formatin .svg i cili mund të modifikohet me anë të Inkscape. Pasi shkarkohet ky skedar, klikohet me të djathtën dhe hapet me programin Inkscape.

Hapja me Inkscape


Pas hapjet së skedarit do të kemi përballë një pamje si më poshtë.


Pamja e parë në Inkscape


Një pjesë e instruksioneve është tashmë e paraqitur në gjuhën angleze brenda çdo dokumenti por do të shpjegohet hap pas hapi këtu. Në hapin e rradhës do të përdorim kombinimin Ctrl+Shift+L për të shfaqur në të djathtë Shtresat (layers) siç shfaqet më poshtë. Layers janë shtresa që na lejojnë të modifikojmë pjesë të ndryshme të dokumentit duke i mbajtur statike pjesë të tjera për të shmangur ndryshimet e padëshiruara dhe për të lehtësuar punën tonë (gjithashtu për të shkurtuar kohën që duhet për të krijuar imazhin final). Një pjesë e tyre janë të kyçura paraprakisht gjatë krijimit të shabllonit dhe të vetmet shtresa që ne do të modifikojmë janë ajo e imazhit dhe e tekstit (të treguara me shigjetë si më poshtë).


Shtresat që duhet të modifikojmë


Mos i shkyçni shtresat e kyçura!

Më tej, do të nisim të modifikojmë tekstin brenda imazhit. Selektojmë shtresën e Tekstit (Text) dhe me anë të mjetit (tool) të tekstit (butoni me shkronjën A në shiritin e mjeteve në të majtë të ekranit, i treguar me shigjetë në pamjen e mëposhtme) dhe klikojmë mbi tekstin që duam të ndryshojmë. Hapat janë të treguara sipas rradhës me numra në imazhin më poshtë.


Shtresa e tekstit


Nisim duke modifikuar datën dhe muajin e eventit në pjesën e sipërme, më pas emrin e eventit dhe duke vendosur poshtë saj orën e eventit siç duket në shembullin e mëposhtëm.


Një shembull për një event të projektit LibreOffice


Në hapin e rradhës do të na duhet të shtojmë një foto në pjesën poshtë djathtas të imazhit. Çdo shabllon ka tashmë një foto të marrë nga një takim komuniteti (Mozilla gjatë OSCAL 2017) për të dhënë idenë e fotos që nevojitet. Për të shtuar një foto të re në vend të asaj ekzistuese, duhet të kemi fillimisht një të tillë, në formatin B/W (bardhë e zi) dhe me madhësi të mjaftueshme që të jetë e dallueshme në imazh.

Për këtë, na hyn në punë GIMP të cilin e instaluam në fillim. Hapim GIMP dhe shtypim Ctrl+O për të importuar foton që duam të modifikojmë (duhet ta kemi gjetur paraprakisht dhe të jetë e shkarkuar lokalisht në kompjuterin tonë). Fotoja duhet të mos e kalojë madhësinë 1500px pasi nuk ka nevojë të jetë aq e madhe. Në këtë shembull kam përdorur një foto nga një event i Debian. Pasi e kemi importuar foton, do të shkojmë në shiritin e mjeteve i cili ndodhet lart dhe në menunë Colors dhe zgjedhim opsionin Desaturate. Në kutinë dialoguese që do të shfaqet, zgjedhim Luminosity dhe klikojmë OK. Imazhi do të kthehet në B/W siç duket dhe nga pamja më poshtë.


Imazhi i kthyer në bardhë e zi


Në hapin tjetër duhet që fotoja të modifikohet më tej në mënyrë që të jetë e përdorshme duke i rritur kontrastin. Për ta bërë këtë, klikojmë përsëri në menunë Colors dhe këtë herë zgjedhim Brightness-Contrast. E rrisim kontrastin deri sa të na duket e arsyeshme duke mos e bërë imazhin shumë të errët, siç duket nga pamja e mëposhtme dhe klikojmë përsëri OK.


Rregullimi i kontrastit të imazhit


Pasi e kemi rregulluar kontrastin, do të ruajmë imazhin për ta përdorur tek shablloni për eventin që kemi tashmë të hapur në dritaren e Inkscape. Për të ruajtur imazhin, shtypim Ctrl+Shift+E dhe na del dritarja dialoguese për të vendosur emrin dhe vendndodhjen se ku duam ta ruajmë imazhin. Në rastin më poshtë kam zgjedhur emrin foto_event.jpg pasi imazhin po e ruaj në formatin .jpg (.png është një alternativë tjetër, është preferencë personale) dhe në Desktop.


Eksportimi i imazhit me GIMP


Më pas na shfaqet një dritare tjetër dialoguese, Quality e mbajmë tek 90, mund ta ndryshojmë më vonë nëse duam të ulim madhësinë e imazhit (KB apo MB). Klikojmë mbi kutinë Show preview in image window dhe klikojmë mbi + tek Advanced Options, personalisht aktivizoj opsionin Optimize dhe Progressive duke përdorur Subsampling 4:4:4 (best quality) dhe opsionet e tjera siç shfaqen më poshtë dhe klikojmë Export për ta eksportuar imazhin.


Dritarja me opsionet e eksportimit


Pasi e kemi gati foton për imazhin, kthehemi tek dritarja ekzistuese në Inkscape. Selektojmë shtresën Put Image here dhe klikojmë mbi butonin e kursorit në shiritin e mjeteve majtas, është butoni i parë në renditje. Zgjedhim foton ekzistuese që kemi në imazh dhe e fshijmë me butonin Delete nga tastiera ose duke klikuar me të djathtën mbi të e duke zgjedhur përsëri Delete, siç duket nga pamja më poshtë.


Fshirja e imazhit në Inkscape


Pasi e kemi fshirë foton e vjetër, është momenti të shtojmë foton e re që modifikuam pak më parë me GIMP. Për ta bërë këtë, shtypim Ctrl+I, i cili shërben për të importuar imazhet në dokument. Pasi e kemi zgjedhur foton, në rastin tonë foto_event.jpg nga Desktop dhe kemi klikuar OK, fotoja shfaqet në dokumentin tonë. Përsëri duke përdorur butonin e parë tek shiriti i mjeteve majtas, e zhvendosim imazhin derisa të përputhet me pjesën e përcaktuar për të. Nëse imazhi ynë është shumë i madh ose i vogël, mund ta ndryshojmë duke mbajtur shtypur butonin Ctrl dhe duke zhvendosur shigjetën diagonale siç duket nga pamja më poshtë derisa të jetë e mjaftueshme për ne. Butoni Ctrl na ndihmon që të bëjmë një ndryshim të njëtrajtshëm të fotos që shmang deformimin e saj horizontalisht apo vertikalisht.


Modifikimi i madhësisë së fotos


Pasi jemi të kënaqur me vendosjen e fotos, vjen momenti që ta eksportojmë imazhin tonë final i cili do të përdoret në rrjetet sociale. Për ta bërë këtë, shtypim Ctrl+Shift+E dhe na shfaqet dritarja e eksportimit në të djathtë. Opsionet e eksportimit do të jenë si në pamjen më poshtë, export area do të jetë Page, tek Image size duhet të përdorim madhësinë 96 dpi (nëse duam që imazhi të jetë dy herë më i madh, për arsye cilësie apo diçka e tillë, mjafton ta dyfishojmë dpi duke e bërë 192 dpi), tek Filename klikojmë mbi Export As dhe zgjedhim emrin final të imazhit dhe vendndodhjen e saj, në rastin më poshtë kam përdorur emrin imazh_eventi.png dhe vendndodhjen Desktop. Pasi kemi bërë këto, klikojmë mbi butonin e fundit Export dhe imazhi ynë do gjendet në Desktop, gati për t'u përdorur në rrjetet sociale.


Eksportim Inkscape


Klikojmë mbi butonin X për të mbyllur dokumentin duke mos i ruajtur ndryshimet që kemi bërë si më poshtë (Close without saving).


Mbyllja e dokumentit


Imazhi final që eksportuam është si më poshtë.


Imazh eventi