Statuti versioni 2

From Open Labs Hackerspace
Jump to navigation Jump to search

Statuti u përpilua gjatë takimit të anëtarëve. Ky është versioni i dytë i statutit i formuluar në dakortësim me anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme.

NENI 1
FORMA E ORGANIZIMIT
1.1 Ky person juridik themelohet si Organizatë Jofitimprurëse (OJF) që synon realizimin e veprimtarive në të mirë dhe interes të publikut dhe nuk synon realizimin e fitimeve.
1.2 Kjo OJF është e organizuar në formën e "Shoqatës" me anëtarë.


NENI 2
EMRI I SHOQATËS
2.2 Emri i Shoqatës është "OPEN LABS".
2.3 Shoqata "OPEN LABS" do ketë siglën dhe logon e saj ashtu siç është aprovuar nga Asambleja e Përgjithshme.


NENI 3
SELIA/QENDRA
3.1 Shoqata e ka selinë e saj në Tiranë, rruga Pjetër Budi 67 dhe ka në fokus të veprimtarisë aktivitetin brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
3.2 Me miratim të organeve të saj kompetente, Shoqata mund të ndryshojë selinë, mund të hapë degë dhe filiale në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë apo jashtë saj.


NENI 4
AFATI
4.1 Shoqata do të ketë kohëzgjatjen e veprimtarisë së saj me një afat të pacaktuar.


NENI 5
QËLLIMI DHE FUSHA E VEPRIMTARISË SË SHOQATËS
5.1 Shoqata ka si qëllim të:
- zhvillojë e ushtrojë aktivitetin e saj për të përmirësuar, përkthyer dhe promovuar programe kompjuterike (softuer) me kodburim të lirë dhe të hapur (free and open source software), siç është përcaktuar nga Open Source Initiative dhe Free Software Foundation (FSF).
- zhvillojë dhe ushtrojë aktivitetin që institucionet dhe institutet e financuara nga fonde publike të promovojnë dhe të përdorin programe kompjuterike (softuer) dhe pajisje elektronike (harduer) me kodburim të lirë dhe të hapur.
- zhvillojë dhe ushtrojë aktivitetin që institucionet arsimore të financuara nga fonde publike të përfshijnë në kurrikulat e institucioneve arsimore informacion të plotë dhe të detajuar rreth platformave softuerike dhe harduerike me kodburim të lirë dhe të hapur.
- promovojë hapësirën publike (Public Domain) dhe licensa të majta (Copyleft) dhe Creative Commons.
- zhvillojë, përkthejë dhe promovojë pajisje me skematikë të lirë, të hapur dhe të aksesueshme sipas definicionit të fondacionit "Open Hardware".
- zhvillojë dhe ushtrojë aktivitetin që institucionet dhe institutet e financuara nga fonde publike, të promovojnë dhe të përdorin standarde teknologjike të lira dhe të hapura (open formats/standards) për formate multimediale të ndryshme.
- promovojë prodhimin, përdorimin, mirëmbajtjen, arkivimin e të dhënave të hapura (open data) të prodhuara nga institucione të fuqizuara nga financime publike.
- promovojë kontrollin e plotë të të dhënave personale dhe sensitive nga vetë përdoruesit gjatë lundrimit të tyre në internet.
- promovojë mjetet dhe mënyrat e komunikimit, organizimit dhe ndërveprimit digjital të sigurtë pa ndërhyrje nga palë të treta kundër vullnetit të entitetit dërgues ose marrës.
- të promovojë rëndësinë e fjalës së lirë dhe të kundërshtojë kategorikisht çdo formë censurimi të centralizuar të veprimtarive në rrjet, për të siguruar të drejtën e fjalës dhe mendimit të lirë e demokratik për të gjithë përdoruesit e Internetit pavarësisht pikëpamjeve të tyre mbi një tematikë të caktuar.
- emancipimin e rëndësisë së asnjanësisë së rrjetit (Net Neutrality), parimi ku ofruesit e shërbimit të internetit trajtojnë të gjitha të dhënat në internet në të njëjtën mënyrë pa diskriminuar ose ngarkuar mbi bazën e përdoruesit, përmbajtjes, websajtit, platformës, aplikacionit ose formës së komunikimit.
- fuqizimin e teknologjisë "blockchain" për eliminimin e palës së mesme në transaksione financiare, kontraktuale dhe asetesh në mënyrë të decentralizuar pa ndërhyrjen e një entiteti me fuqi influencuese mbi këtë proces.
- promovimin e konceptit të aksesimit të lirë të internetit, të barabartë dhe pa dallime nga të gjithë, si një të drejtë themelore të njeriut sipas vendimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
5.2 Shoqata nuk do të ndjekë qëllime partiake. Ajo është organizatë me orientim edukativ, teknologjik, jofitimprurës dhe jo qeveritar.
5.3 Në kuadër të aktivitetit, Shoqata do marrë përsipër procedura ligjore për të plotësuar dhe mbrojtur interesat e saj. Ajo do të mbajë kontakte me institucione shtetërore kur kjo i shërben përmbushjes së qëllimit të Shoqatës. Shoqata do të mbështesë dhe marrë pjesë në veprimtari të ndryshme si konferenca, seminare, kumtesa, që organizohen nga organizata të tjera dhe individë që kanë qëllime të njëjta ose të përafërta me atë të Shoqatës 'Open Labs'.
5.4 Në rast që këto parime cënohen nga entitete të treta, Shoqata do reagojë në mënyrë adekuate duke u bazuar në vendimarrjen e organeve kompetente të saj.
5.5 Shoqata mund të zgjerohet dhe/ose të pakësojë rast pas rasti objektin e veprimtarisë së vet me vendim të Asamblesë së Përgjithshme.


NENI 6
PRANIMI DHE LARGIMI I ANËTARËVE
6.1 Anëtarësimi në organizatë është i hapur për çdo person pa marrë parasysh racën, gjininë, orientimin seksual, shtetësinë, kombësinë, besimin fetar, aftësitë fizike dhe statusin financiar. Në shoqatë ka të drejtë të anëtarësohet çdo person që pranon programin dhe statutin e shoqatës.
6.2 Anëtarët nuk janë të detyruar të kontribuojnë kuota financiare, megjithëse në rast se dëshirojnë të kontribuojnë mund të bëjnë këtë nëpërmjet donacioneve.
6.3 Anëtarët duhet të jenë mbi 16 vjeç.
6.4 Aplikimi bëhet online në kanalet e komunikimit digjital të komunitetit, ku duhet të vendosë dy anëtarë nga Asambleja e Përgjithshme dhe një anëtar të Bordit Ekzekutiv që të konfirmojë.
6.5 Zyrtarizimi i anëtarësimit bëhet në mbledhjen e anëtarëve, të cilët pasi dëgjojnë argumentat e anëtarëve vendosin me shumicë të thjeshtë votash.
6.6 Anëtarët duhet të firmosin NDA (marrëveshje konfidencialiteti).
6.7 Të gjithë anëtarët kanë të drejta të barabarta dhe detyrime të përbashkëta.
6.8 E drejta për të dhënë dorëheqjen i garantohet çdo anëtari të shoqatës, por me kusht që ai të paraqesë një kërkesë të paktën dy javë para largimit. Në takim e anëtarëve informohen anëtarët për largimin e tyre.
6.9 E drejta e anëtarësisë në shoqatë nuk mund të tjetërsohet dhe as të kalohet me anë të trashëgimisë.
6.10 Paralajmërimi për largimin nga anëtarësimi vjen pas tre muajve jo aktivë.
6.11 Anëtarët që kanë dhënë dorëheqjen ose janë përjashtuar nga shoqata nuk kanë të drejtë në kapitalin apo pasurinë themelore të shoqatës.
6.12 Largohet kur nuk respekton Code of Conduct, jo aktiv për 3 muaj dhe kur jep dorëheqjen. Në rastin kur në platformën e diskutimit online ka ankesë për një person të caktuar të paktën nga tre anëtarë, ku një të jetë pjesë e Bordit Ekzekutiv, personi në fjalë vendoset në statusin "i/e pezulluar" deri në takimin e ardhshëm të anëtarëve.
6.13 Çdokush nga anëtarët që është larguar ka të drejtën e riaplikimit si anëtar duke ndjekur procedurat normale të anëtarësimit.


NENI 7
ORGANET DREJTUESE
7.1 Organet drejtuese të shoqatës janë:

   1. Asambleja e Përgjithshme 
   2. Presidenti
   3. Bordi Ekzekutiv

7.2 Fusha e veprimit, përbërja dhe mënyra e funksionimit të organeve drejtuese përcaktohet në Statut.


NENI 8
ASAMBLEJA E PËRGJITHSHME
8.1 Asambleja e Përgjithshme e shoqatës është organi më i lartë drejtues dhe vendimmarrës i shoqatës dhe përbëhet nga të gjithë Anëtarët e saj.
8.2 Asambleja e Përgjithshme gëzon kompetencat e përcaktuara në statut.
8.3 Çdo anëtar i Asamblesë së Përgjithshme gëzon të drejtën e votës.
8.4 Çdo anëtar i Asamblesë së Përgjithshme mund ta ushtrojë të drejtën e votës në takimet e anëtarëve dhe në platformat online sipas formave të parapërcaktuara nga Asambleja e Përgjithshme.
8.5 Iniciativat mund të ndërmerren me dakortësimin e 3 anëtarëve ku të paktën njeri prej tyre është anëtar/e i Bordit Ezekutiv.
8.6 Çdo vendim mund të anullohet me shumicë të thjeshtë anëtarësh.
8.7 Çdo anëtar i Open Labs ka të drejtën e aksesit në asetet digjitale dhe jodigjitale sipas rregullores së brendshme të përcaktuar në kanalet e komunikimit së Shoqatës.


NENI 9
PRESIDENTI
9.1 Shoqata ka një President i cili përfaqëson ligjërisht Shoqatën tek palëët e treta.
9.2 Presidenti është organi më i lartë ekzekutiv i Shoqatës për një periudhë të njëjtë me zgjedhjet e Bordit Ekzekutiv.
9.3 Presidenti është zbatues i vendimeve të Asamblesë së Përgjithshme.
9.4 Presidenti gëzon të gjitha kompetencat e përcaktuara në statut.
9.5 Presidenti është njëkohësisht edhe anëtar i Bordit Ekzekutiv.
9.6 Presidenti zgjidhet nga Bordi Ekzekutiv dhe shkarkohet po nga Bordi Ekzekutiv, përveç rasteve kur shumica e Asamblesë së Përgjithshme bën kërkesë për shkarkimin e tij/saj.


NENI 10
BORDI EKZEKUTIV
10.1 Bordi Ekzekutiv zgjidhet nga Asambleja e Përgjithshme për një afat kohor 3 vjeçar.
10.2 Nëse ka kërkesë nga anëtarët për ndryshim mund të kryhen zgjedhje të parakohshme.
10.3 Bordi Ekzekutiv përbëhet nga 5 anëtarë të cilët zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme.
10.4 Çdo anëtar i Asamblesë së Përgjithshme mbi 18 vjeç ka të drejtë të kandidojë si anëtar i Bordit Ekzekutiv.
10.5 Bordi Ekzekutiv është përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve të anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme.
10.6 Bordi Ekzekutiv zgjedh presidentin me shumicë të thjeshtë votash në takimin e tij të parë.
10.7 Bordi Ekzekutiv ka përgjegjësinë që të zbatohet statuti me rigorozitet nga Asambleja, Bordi Ekzekutiv dhe Presidenti.
10.8 Bordi Ekzekutiv dokumenton nga ana ligjore të gjithë aktivitetet e shoqatës dhe është në ndihmë të Presidentit në përfaqësimin e shoqatës me palët e treta.
10.9 Bordi Ekzekutiv mund të ndryshojë në rast se (a) përfundon afati kohor i mandatit, ose/dhe (b) një ose më shumë anëtar jep dorëheqjen ose/dhe (c) shumica e Asamblesë së Përgjithshme kërkon ndryshimin e Bordit Ekzekutiv.
10.10 Bordi Ekzekutiv mund të marrë vendimin që të punësojë ose nënkontraktojë një ose më shumë anëtarë të organizatës ose/dhe Bordit Ekzekutiv pasi të jetë komunikuar dhe diskutuar me Asamblenë e Përgjithshme në një nga platformat digjitale ose në takimet e anëtarëve. Punësimi duhet të jetë në projekte të cilat janë me përputhje me parimet e vendosura në statut.
10.11 Bordi Ekzekutiv mund të marrë vendimin që të nënkontraktojë individë ose kompani për shërbime që mund të ketë nevojë shoqata në kuadër të aktiviteteve të përditshme të saj. Për çdo vendim Bordi Ekzekutiv duhet të informojë paraprakisht Asamblenë e Përgjithshme në një ose më shumë kanale komunikimi.


NENI 11
MENAXHIMI I ASETEVE DIGJITALE DHE JO-DIGJITALE
11.1 Asetet jodigjitale
Tërësia e të gjitha objekteve materiale që ndodhen brenda në ambientet ku është vendosur shoqata.
Ambienti kryesor i shoqatës quhet 'Hackerspace' dhe është ambienti ku organizohen shumica e aktiviteteve, mbledhjet e anëtarëve e çdo aktivitet tjetër i cili përputhet me veprimtarinë e shoqatës.
Asetet e tjera të shoqatës janë të dokumentuara në inventarin e shoqatës. Rregullorja rreth administrimit të aseteve jodigjitale është publikuar në websajt të shoqatës.
11.2 Asetet jodigjitale
Asetet jodigjitale administrohen nga të gjithë anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme në përputhje me rregulloren e përcaktuar në kanalet tona komunikuese.
11.3 Asetet digjitale të shoqatës si për shembull hapësirat emëruese (domain name), hapësira në shërbyes (server) etj. administrohen nga persona të autorizuar nga Asambleja e Përgjithshme të cilët kanë dhe përgjegjësinë përkatëse për administrimin e aseteve në fjalë. Rregullorja e përdorimit të aseteve në fjalë është e publikuar në një nga websajtet e Shoqatës.


NENI 12
FINANCIMI I SHOQATËS
Për mbulimin e kostove operative të aktivitetit të përditshëm shoqata mund të pranojë financime që burojnë nga mënyrat e mëposhtme:
- fushata me karakter bashkëfinancuese (crowdfunding): mundësi financimi për Open Labs nga individë apo grup entitetesh me qëllim mbulimin e kostove funksionale dhe operative të Shoqatës;
- donacione në një nga llogaritë bankare të shoqatës;
- donacione nga platforma pagesash online;
- donacione ose/dhe pagesa mujore nga platforma të donacioneve mujore;
- donacione nga organizata, kompani dhe individë që kanë qëllim të njëjtë ose të përafërt me atë të Shoqatës;
- donacione dhe pagesa nga organizata, individë ose/dhe kompani për implementimin e projekteve që përputhen me aktivitetet dhe qëllimet e shoqatës;
- donacione nga anëtarë të shoqatës.


NENI 13
TRANSFORMIMI BASHKIMI
13.1 Me vendim të Asamblesë të Përgjithshme, shoqata mund të bashkohet, ndahet ose të transformohet në një organizatë tjetër jofitimprurëse. Vendimi merret në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara në statut.


NENI 14
SHPËRNDARJA, LIKUJDIMI, ÇREGJISTRIMI
14.1. Shoqata shpërndahet, likujdohet dhe çregjistrohet në përputhje me dispozitat e Statutit dhe ligjit shqiptar.